Më 13 Prill 2024, Shoqata “Gjergj Kastrioti – Zvicër”, në bashkëpunim me Shoqatën partnere “Hora e Skënderbeut” dhe me mbështetjen e partnerëve të tjerë institucionalë dhe kulturorë, organizoi me sukses të plotë koncertin solemn me moton domethënëse: “Skënderbeu na Bashkon”, i cili u mbajt në qytetin Kriens (LU) – Zvicër.
Ky aktivitet ishte shprehje konkrete e unitetit mbarëkombëtar dhe mërgimtar, si dhe një dëshmi frymëzuese për dashurinë dhe respektin që mban mërgata shqiptare për figurën e Kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga ky koncert madhështor iu dedikuan një qëllimi të lartë dhe fisnik: realizimit të shtatores së Skënderbeut, që do të vendoset më 30 Gusht 2024 në Horën e Arbëreshëve, Sicili, si një dhuratë simbolike e mërgatës shqiptare për vëllezërit tanë arbëreshë, të cilët ruajnë me krenari dhe përkushtim gjuhën, traditat dhe kujtimin e lavdisë së përbashkët historike.
Ky aktivitet kulturor dhe atdhetar u përshkua nga një atmosferë e veçantë emocioni dhe krenarie, duke sjellë në skenë artistë të dashur të mërgatës dhe të ftuar nga trojet shqiptare. Ai shërbeu si urë lidhëse mes brezave, mes tokës mëmë dhe diasporës, në përkujtim të përbashkët të një trashëgimie që nuk zbehet kurrë.
Falënderojmë nga zemra të gjithë anëtarët e shoqatës, sponsorët, artistët dhe pjesëmarrësit, të cilët me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre bënë të mundur këtë ngjarje të paharrueshme.
Rroftë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu!
Rroftë Shqipëria dhe mërgata shqiptare!