Më 30 Qershor 2024, Shoqata “Gjergj Kastrioti” në bashkëpunim me Shoqatën motër “Bashkimi” në Uster, mori pjesë me krenari dhe përfaqësim dinjitoz në Eidgenössisches Trachtenfest 2024 – një nga ngjarjet më të rëndësishme tradicionale të Zvicrës, e mbajtur në qytetin historik të Zürichut.
Kjo festë federale e kostumeve popullore mblodhi bashkë komunitete nga të gjitha kantonet dhe kulturat e pranishme në Zvicër, për të kremtuar larminë dhe trashëgiminë e tyre kulturore. Në këtë atmosferë shumëngjyrëshe dhe festive, flamuri shqiptar dhe veshjet tona kombëtare qëndruan krenare dhe të dallueshme, duke dëshmuar se kultura shqiptare është e gjallë, autentike dhe e mirëpritur në mozaikun zviceran të bashkëjetesës.
Ne si shoqatë prezentuam me krenari ‘uniformën’ dhe përkrenaren me vlera të veçanta botërore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, heroit tonë të pamposhtur dhe mbrojtësit të qytetërimit perëndimor. Kjo përkrenare legjendare, jo vetëm që përfaqëson trimërinë dhe urtësinë e Skënderbeut, por edhe dëshmon për rrënjët tona të thella europiane dhe rolin historik të shqiptarëve në mbrojtjen e lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Me veshjet tona tradicionale, këngët, vallet dhe simbolet tona kombëtare, Shoqata “Gjergj Kastrioti” dha një kontribut të vyer në këtë festë ndërkombëtare, duke e bërë kulturën shqiptare të njohur dhe të vlerësuar nga të pranishmit.
Ky aktivitet është një tjetër dëshmi e misionit tonë për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë tonë kulturore, për të ndërtuar ura miqësie mes popujve dhe për të afirmuar me krenari identitetin tonë kombëtar në diasporë.