Shoqata “Gjergj Kastrioti” me seli në Zvicër organizoi promovimin e librit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, bibliografi” të autorit Gjon Keka më 6 maj, në bibliotekën Pestalozzi të Cyrihut. Data u zgjodh për të përkuar me ditëlindjen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke shënuar 618 vjetorin e tij. Aktiviteti, i moderuar nga Bujar Salihu dhe i drejtuar nga kryetari i shoqatës Agim Pepaj, mblodhi së bashku studiues, artdashës dhe mbështetës të trashëgimisë shqiptare.
Gjatë fjalimit të tij, kryetari i Shoqatës “Gjergj Kastrioti”, Agim Pepaj, përshëndeti të pranishmit dhe shpjegoi arsyen e zgjedhjes së 6 majit për promovimin, duke theksuar simbolikën e veçantë të kësaj date:
“Të nderuara Zonja dhe Zotërinj, Motra dhe Vëllezër në Gjergj Kastriotin. Mirëdita dhe mirë se keni ardhur në Promovimin e Bibliografisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut të autorit Gjon Keka. Kemi përzgjedhur 6 majin jo rastësisht për këtë promovim. Me 6 maj 1405, pra sot para 618 vitesh, lindi Gjergji Madh Kastrioti, dielli i Arbërisë dhe Shqiptarisë. Ky diell që nga ajo kohë e deri në ditët tona ndriçon zemrën dhe shpirtin e çdo shqiptari.”
Pepaj theksoi se Shoqata “Gjergj Kastrioti” ka si qëllim kryesor ruajtjen dhe promovimin e jetës dhe veprave të heroit kombëtar, dhe shprehu mirënjohjen e tij për Gjon Kekën që besoi organizimin e këtij promovimi Shoqatës. Ai falënderoi gjithashtu të gjithë ata që kontribuuan në këtë ngjarje, përfshirë Bujar Salihun, Suela Jorgaqin, dhe mbështetësit e tjerë.
Gjon Keka, autori i librit, foli për rolin e Skënderbeut në historinë shqiptare dhe evropiane, duke nënvizuar rëndësinë universale të veprës së tij. Ai u përgjigj pyetjeve të moderuara nga Bujar Salihu dhe të pranishmëve të tjerë, duke ndarë pasionin dhe përkushtimin e tij për hulumtimin e jetës së Skënderbeut.
Ngjarja u pasurua nga këngëtarja e mirënjohur shqiptare Mimoza Selimi, e cila interpretoi disa këngë tradicionale, duke shtuar një atmosferë emocionale dhe frymëzuese në këtë ngjarje kulturore.
Në përfundim, të pranishmit patën mundësinë të marrin librat e dr. Gjon Kekës me nënshkrimin e tij dhe të shijojnë një koktej rasti të përgatitur nga Aferdita Pepaj. Gjatë koktejit, të ardhurat nga shitja e librave shkuan plotësisht për autorin.
Falënderime të veçanta shkuan për sponsorët: SB Hauswartungen me pronar Sevdail Bajraliu, Nicco und Partner Gipser/Maler me pronar Medail Collaku, VIVAQUA AG, dhe SCANDERBEG IMMOBILIEN, si dhe për sponsorët medial Albinfo.ch dhe Prointegra.ch.
Promovimi i librit për Skënderbeun shërbeu jo vetëm si një event kulturor, por edhe si një përpjekje për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë e pasur historike shqiptare, duke nderuar një nga figurat më të shquara të kombit tonë.