Allgemein

news

28.11.2024

Një kremtim i shenjtë i historisë kombëtare, i mbushur me krenari, emocione dhe frymë atdhedashurie

Më 28 Nëntor 2024, Shoqata “Gjergj Kastrioti – Zvicër”, në kuadër të bashkëpunimit me Ansamblin “Vatra”, organizoi një manifestim solemn dhe frymëzues për të kremtuar me nder, përkushtim dhe dashuri të thellë kombëtare FESTAT E NËNTORIT – datat më të lavdishme dhe më të shenjta të historisë sonë.

Në një atmosferë të mbushur me simbole, këngë patriotike, flamuj kuqezi dhe mall për atdhe, u përkujtuan momentet themelore të identitetit dhe qëndresës sonë si komb:

  • 28 Nëntor 1443 – Kthimi i Zotit Skënderbe në tokat arbërore për të nisur luftën e lavdishme për liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar.
  • 28 Nëntor 1912 – Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë – Dita e Flamurit, kur Shqipëria u shpall e lirë dhe e pavarur përpara botës.
  • 28 Nëntor 1955 – Lindja e komandantit legjendar Adem Jashari, simbolit të sakrificës dhe qëndresës në epokën moderne.
  • 28 Nëntor 1997 – Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur pushka shqiptare foli në emër të lirisë, në mbrojtje të popullit dhe dinjitetit njerëzor.

Një mbrëmje nderimi me një mysafir të papërsëritshëm

Ky aktivitet u shënua edhe nga një ngjarje e rrallë e cila e pasuroi dhe e bëri edhe më të thellë shpirtërisht këtë festim kombëtar: kishim nderin dhe kënaqësinë e veçantë të kishim të pranishëm aktorin e madh, të papërsëritshëm, legjendën e skenës shqiptare – z. Çun Lajçi.

Me fjalën e tij të fuqishme, me interpretimin brilant të poezive dhe rrëfimeve historike, z. Lajçi e preku zemrën e çdo të pranishmi, duke shndërruar sallën në një tempull nderimi për heronjtë dhe figurat më të ndritura të kombit tonë. Ai ishte zëri i shpirtit shqiptar, që foli me mall, revoltë, dashuri dhe përkushtim të thellë për atdheun.

Një thirrje për bashkim, kujtesë dhe krenari

Shoqata “Gjergj Kastrioti – Zvicër”, si gjithnjë, bashkoi shqiptarët nën një flamur, një këngë dhe një kujtim të përbashkët. Të pranishmit u përshëndetën me urimin:

Gëzuar Festat e Nëntorit!

Rroftë Gjergj Kastrioti i Madh!

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Kosova!

Ky aktivitet do të mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve si një moment i përbashkët krenarie dhe afirmimi kombëtar, ku historia nuk u përkujtua thjesht si e kaluar, por si frymëzim për të ardhmen.

Bëhu anëtar

Bashkohuni me ne – së bashku do ta mbajmë gjallë shpirtin e Skënderbeut!
Bëhuni anëtar tani dhe bëhuni pjesë e lëvizjes sonë!

Bëhu anëtar

Sponsorët