Një rikthim përulës në gurthemelin e bashkimit kombëtar shqiptar
Më 2 Mars 2025, në përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, një nga ngjarjet më madhore të historisë sonë, Shoqata “Gjergj Kastrioti – Zvicër” zhvilloi një vizitë nderimi në qytetin e Lezhës, në vendin ku më 1444 u mblodhën princat shqiptarë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, për të vendosur bashkimin dhe qëndresën kundër pushtuesit osman.
Homazhe dhe përulje para figurës së pavdekshme të Kryeheroit
Në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë, Shoqata bëri homazhe dhe përulje të thellë në memorialin e vendvarrimit të Skënderbeut, si shprehje e nderimit dhe mirënjohjes së pakufishme ndaj figurës që mbrojti lirinë, nderin dhe identitetin e shqiptarëve me guxim të pashoq.
U ngritën lule dhe u mbajt një moment reflektimi për atë që historia e quan me të drejtë mbrojtësi i qytetërimit perëndimor, një burrë që armiku e quajti “përbindësh” – sepse ishte i pathyeshëm dhe i pamëshirshëm ndaj pushtimit.
Pjesëmarrje në manifestimin përkujtimor dhe zbulimi i shtatores së re të Skënderbeut
Me ftesë të drejtorit të Kulturës në Bashkinë e Lezhës, z. Paulin Zefi, Shoqata mori pjesë në manifestimin qendror përkujtimor të zhvilluar në sheshin përballë memorialit, ku u bë edhe zbulimi i shtatores së re madhështore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, një vepër artistike e cila përjetëson heroizmin, urtësinë dhe fuqinë e prijësit tonë kombëtar.
Pritje zyrtare nga autoritetet vendore – Njohje për diasporën
Në këtë ditë solemniteti dhe krenarie, Shoqata “Gjergj Kastrioti – Zvicër” pati nderin të pritet zyrtarisht nga:
- Kryetari i Bashkisë së Lezhës, z. Pjerin Ndreu, i cili falënderoi mërgatën për ruajtjen e vlerave historike, kulturore dhe për promovimin e figurës së Skënderbeut në Zvicër dhe më gjerë.
- Prefekti i Qarkut të Lezhës, z. Taulant Malshi, i cili shprehu respekt të thellë për punën dhe angazhimin atdhetar të Shoqatës, duke e cilësuar praninë e tyre si një urë frymëzuese midis Atdheut dhe diasporës.
Një përvojë që ngjall frymëzim dhe përgjegjësi
Kjo ngjarje përkujtuese ishte një përvojë e thellë shpirtërore dhe kombëtare për anëtarët e Shoqatës, e cila jo vetëm që i bashkoi me rrënjët e lavdisë sonë historike, por edhe i motivoi të vijojnë rrugën e promovimit të trashëgimisë kombëtare në vendin ku jetojnë e veprojnë.
Lavdi përjetë Gjergj Kastriotit – Skënderbeut!
Rroftë bashkimi shqiptar!
Rroftë Shqipëria dhe Arbëria jonë!




