
Në një atmosferë të ngrohtë, solemne dhe frymëzuese, Shoqata “Gjergj Kastrioti” Zvicër organizoi më 18 maj 2025 ekspozitën pamore “Gjergji në Art”, kushtuar 620-vjetorit të lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ky aktivitet i jashtëzakonshëm kulturor, i mbajtur në Bülach, Zvicër, bashkoi artistë, studiues, historianë, diplomatë dhe dashamirë të artit e kombit shqiptar, duke e bërë figurën e Skënderbeut të rilindë përmes penelit, skulpturës, fjalës dhe frymës artistike që ndërthur historinë me identitetin kombëtar. Ekspozita u konceptua si një urë lidhëse midis brezave dhe kohëve, duke e përjetësuar figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në forma bashkëkohore, ku arti u bë gjuhë e përbashkët e krenarisë dhe kujtesës shqiptare.
Fjalimi i Kryetarit të Shoqatës, z. Agim Pepaj
“Të dashur fëmijë, motra dhe vëllezër në Gjergj Kastriotin, të nderuar të pranishëm, mirëdita dhe mirë se keni ardhur në këtë aktivitet, organizuar me rastin e 620-vjetorit të lindjes së të pamposhturit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Shoqata jonë ka kënaqësinë t’ju mirëpresë në këtë ekspozitë pamore me titullin ‘Gjergji në Art’, ku përmes veprave artistike sjellim një pasqyrim të kontributit dhe jehonës së kësaj figure në ndërgjegjen kombëtare.”
“Jeta dhe veprimtaria e tij përfaqësojnë një periudhë të rëndësishme të rezistencës së popullit arbëror ndaj pushtimeve të kohës, si dhe një model udhëheqësie e përkushtimi për mbrojtjen e atdheut. Figura e tij mbetet një pikë referimi për identitetin tonë kombëtar dhe një burim frymëzimi i pashtershëm për brezat që vijnë.”
“Një falënderim i veçantë shkon për artistët, sponsorët dhe bashkëpunëtorët tanë, të cilët me mbështetjen e tyre dhe përkushtimin njerëzor kanë bërë të mundur realizimin e këtij aktiviteti. Lavdi jetës dhe veprës së Gjergjit të Madh Kastriotit! Rroftë shqiptaria!”
Përfaqësimi diplomatik
Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe Ambasadës së Maqedonisë së Veriut, fjalën e mbajti znj. Shukrie Ramadani, e cila përcolli një mesazh të thellë bashkimi e krenarie kombëtare:
“Skënderbeu nuk është vetëm një figurë historike – ai është drita që ndriçon rrugën tonë kombëtare. Kjo ngjarje është dëshmi se, kudo që jemi, shqiptarët mbetemi një popull me rrënjë të thella, me shpirt të fortë dhe me dashuri të përjetshme për atdheun.”
Kumtesat shkencore dhe artistike
Ekspozita u pasurua me kumtesa dhe diskutime të rëndësishme nga studiues e kuratorë të njohur:
Historiani Paulin Zefi, me kumtesën “Portreti artistik autentik dhe fizionomia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, ndriçoi aspektet historike dhe ikonografike të figurës së Heroit në artin evropian dhe shqiptar, duke theksuar rëndësinë e portretit origjinal të ruajtur në Galleria degli Uffizi, Firence.
“Në artin pamor ekzistojnë dy mënyra për të pasqyruar figurën e Skënderbeut – fytyra e ashpër dhe burrërore e prijësit të pathyeshëm, dhe tiparet e ëmbëlsuara të atit që u jep besim bijve. Kjo është madhështia e tij – njëkohësisht luftëtar dhe shenjtor i kombit.”
Kuratori dhe kritiku i artit Ilir Muharremi, në kumtesën “Udhëtimi estetik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, foli për dimensionin estetik e filozofik të ekspozitës:
“Ekspozita ‘Gjergji në Art’ është një mozaik frymëzimi, ku arti shqiptar bën bashkë gjeneratat, hapësirat dhe kohët. Skënderbeu i flet secilit artist ndryshe – si simbol i lirisë, i dashurisë për atdheun dhe i guximit për ta mbrojtur identitetin tonë.”
Artistët pjesëmarrës
Agim Ramadani – Hero i Kosovës, Ahmet Ibrahimi, Ardian Pepa, Augustin Pergega, Bujar Vani & Evisi Kabilo, Butrint Morina, Daors Hoxha, Dorina Ukgjini, Dussi Sadriji, Etmond Balaj, Fatmir Dragusha, Florim Shaqiri, Gabriela Memaj Thaçi, Gëzim Muriqi, Gjergj Kola, Irena Toma, Irfan Grajçevci, Jacqueline Bislimi, Jalldëze Mustafa, Jeton Lleshi, Kushtrim Sylejmani, Marigona Toma, Nagip Tashi, Naser Dushica, Pren Berisha, Refki Gollopeni, Rexhep Leci, Sak Muji, Valerijana Krasniqi, Visar Kryeziu.
Sponsorët & Mbështetësit (renditur sipas alfabetit)
Albinfo.ch, Ansambli i Valleve “VATRA”, ArtPlisi, Avni Gallapeni, Blitz Fahrschule, Graphikon Design, grafik · print · web – id-script, Hora e Skënderbeut, Klubi Kulturor Shqiptare “VATRA”, Nikolla & Co AG, NICCO & PARTNER AG – Gipser & Malerarbeiten, Prointegra.ch, Ristorante Da Paolo, SAM4info, Sanivor AG, SB Hauswartungen, SCANDERBEG IMMOBILIEN, Shoqata “Ndue Perlleshi”, Swiss Eagle Coffee, Ujë Rugove Schweiz, VIVAQUA AG, Visar Kryeziu Photography,Nënat / Gratë / Motrat “VATRA”
Lavdi Skënderbeut! Lavdi artit që e mban gjallë kujtimin e tij!
Me respekt dhe dashuri për të pamposhturin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu
Shoqata Gjergj Kastrioti Zvicër




















